Shërbime terapeutike profesionale për fëmijët me autizëm dhe mbështetja e familjeve të tyre
ANAK ofron shërbime terapeutike të specializuara për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, të bazuara në vlerësime profesionale dhe qasje të individualizuara. ANAK gjithashtu ofron shërbime për fëmijë jo domosdoshmërisht janë të diagnostikuar me autizëm, por të cilët manifestojnë vështirësi në komunikim dhe sjellje problematike, sfida të cilat prekin një mori të gjerë të fëmijeve që kanë nevojë për mbështetje profesionale. Shërbimet tona synojnë zhvillimin e aftësive komunikuese, sociale dhe emocionale, shkathtësive të përditshme fëmijëve, duke respektuar ritmin dhe nevojat specifike të secilit fëmijë, drejt pavarësimit të tyre.
Programi përfshin punë të drejtpërdrejtë me fëmijët nga profesionistë të fushave përkatëse, përdorimin e metodave bashkëkohore terapeutike, bazuar në parimet thelbësore të ABA (Analaiza e Sjelljes) dhe VB (Sjellja Verbale) dhe ndjekje të vazhdueshme të progresit.
ANAK ofron konsulta individuale dhe trajnime e konsultime sistematike për prindërit, me fokus në kuptimin e drejtë të kompleksitetit të autizmit, strategjitë e përditshme të mbështetjes së fëmijës, menaxhimin e sfidave specifike dhe ndërtimin e një mjedisi mbështetës në familje. Prindërit fuqizohen si partnerë kyç në vazhdimin dhe mirëmbajtjen e procesit terapeutik dhe zhvillimor të fëmijës.
Zhvillimi i kapaciteteve profesionale dhe integrimi social
Ky program synon forcimin e kapaciteteve të studentëve dhe profesionistëve si dhe krijimin e kushteve për integrim social të qëndrueshëm të fëmijëve me autizëm në shoqëri.
Duke parë rritjen e vazhdueshme të diagnostikimit të personave me autizëm, dhe duke njohur nevojën për krijim të kapaciteteve të reja profesionale, ANAK ka ofruar, vullnetarisht, me qindra mijëra orë praktike për studentët e Departamentit të Psikologjisë, duke u dhënë studentëve mundësi për zhvillim dhe orientim profesional.
Në anën tjetër, ANAK, ka mbështetur e trajnuar me qindra asistentë individual, të cilët kanë qënë të angazuar privatisht apo përmes insititucioneve, gjatë integrimit të fëmijëve në sistemin e rregullt edukativ. Përmes rekomandimeve të bazuara në analizim të funksionit të sjelljeve, që kanë rezultuar me reduktim substancial dhe të matshëm të sjelljeve problematike, shumë asistentë pastaj, kanë arritur që të punojnë me objektivat e planeve individuale (PIA).
ANAK angazhohet në mbështetje profesionale për profesionistë të sektorit të arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, me qëllim rritjen e njohurive mbi identifikimin e hershëm të autizmit, qasjet gjithëpërfshirëse dhe praktikat më të mira të punës me fëmijët me nevoja të veçanta. Ky komponent kontribuon në ndërtimin e një sistemi më të informuar dhe të përgatitur, për të akomoduar nevojat specifike të të të gjithë personave që ndërveprojnë me institucione përkatëse shtetërore, qoftë kjo në sistemin edukativ, atë shëndetësor, apo çfarëdo sfere tjetër shoqërore.
Vetëdijesimi dhe avokimi
Përmes këtij programi, ANAK angazhohet për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimin e politikave dhe praktikave që lidhen me të drejtat e fëmijëve me autizëm.
Organizata zhvillon fushata informuese dhe sensibilizuese për publikun e gjerë, duke synuar luftimin e stigmatizimit, rritjen e mirëkuptimit shoqëror dhe promovimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes për fëmijët me autizëm.
ANAK reagon ndaj rasteve të diskriminimit, neglizhencës institucionale apo shkeljes së të drejtave të fëmijëve me autizëm, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndryshime konkrete në politika dhe praktika.
Programi përfshin bashkëpunime me institucione publike, organizata të shoqërisë civile, shkolla, media dhe aktorë të tjerë relevantë, me qëllim ndërtimin e një rrjeti mbështetës dhe ndikimin afatgjatë në përmirësimin e pozitës së fëmijëve me autizëm në Kosovë.
Ligjërata: Autizmi, metodat intervenuese dhe shërbimet e përshtatshme
Në kuadër të projektit “Integrimi funksional dhe kualitativ i fëmijëve me autizëm dhe vetëdijesimi gjithëpërfshirës” sot u mbajt ligjerata mbi “Autizmin, metodat intervenuese dhe shërbimet e përshtatshme” nga Jeta Deva specialiste e psikologjisë klinike me studentët e psikologjisë në Departamenti i Psikologjisë, UP.
Ligjerata: Autizmi, metodat intervenuese dhe shërbimet e përshtatshme
Në kuadër të projektit “Integrimi funksional dhe kualitativ i fëmijëve me autizëm dhe vetëdijesimi gjithëpërfshirës”, u mbajt pjesa e dytë e ligjeratës “Autizmi, metodat intervenuese dhe shërbimet e përshtatshme” nga Rrezarta Mahmutaj për studentët e Departamentit të Psikologjisë, UP. Projekti financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Finalizimi i projektit: Përmirësimi i mirëqenies së fëmijëve me autizëm duke ofruar shërbime multidisiplinare pa pagesë
Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë ka finalizuar projektin “Përmirësimi i mirëqenies së fëmijëve me autizëm duke ofruar shërbime multidisiplinare pa pagesë”, në partneritet me Save the Children Kosova/o dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë. Projekti ka ofruar për 15 muaj shërbime terapeutike, vlerësuese dhe mbështetje profesionale pa pagesë për fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre, duke paraqitur rezultate konkrete intervenuese dhe profesionale. Ky projekt dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme për përmirësimin e mirëqenies së këtyre familjeve.
Trajnimi: Autizmi, metodat intervenuese dhe shërbimet e përshtatshme
Në kuadër të projektit “Integrimi funksional dhe kualitativ i fëmijëve me autizëm dhe vetëdijesimi gjithëpërfshirës”, u mbajt trajnimi “Autizmi, metodat intervenuese dhe shërbimet e përshtatshme” nga Jeta Deva dhe Rrezarta Mahmutaj për edukatorë, logopedë, asistentë dhe psikologë. Projekti financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Konferencë për autizmin
Në kuadër të aktiviteteve të muajit të ndërgjegjësimit për çrregullimin e autizmit, ANAK në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë përmbylli aktivitetet me konferencën “Evidenca Shkencore dhe Përvojat Praktike në Punën me Familjet dhe Fëmijët në Spektrin e Autizmit”.
Takimi me V Pearson
ANAK mirëpriti Asistentët e kualifikimit të V të Pearson dhe i informoi ata mbi dinamikat dhe praktikat e integrimit të fëmijëve me autizëm në sistemin edukativo-arsimor të rregullt
Mbështetësit tanë ndër vite
Patjetër që pa mbështetjen e donatorëve, organizata ANAK nuk do të mund të realizonte projektet dhe aktivitetet e saja deri më tani, sidomos në ofrimin e mbështetjes pa pagesë për shumë familje me kushte të vështira ekonomike.





