━━━  PROJEKTET & RAPORTET

ANAK, që nga themelimi, ka kontribuar sistematikisht në vetëdijësim të shoqërisë mbi autizmin dhe shkathtësitë unike që mund t’i kenë, duke e mirëmbajtur një rrymë të vetëdijësimit pa viktimizim.

━━━     PROJEKTET DHE AKTIVITETET

AKTIVITETE REKREATIVE DHE EDUKATIVE

Në ANAK, përgjatë seancave terapeutike, pjesë e terapisë ka qenë edhe adaptimi i mësimit në ambientet e tjera. Një prej vendeve të preferuara për mësim ka qenë Parku i Qytetit, oborri i organizatës dhe pjesëmarrja në lojërat olimpike të organizuara për fëmijë. Në natyrë fëmijët kanë mësuar punën individuale, grupore, ecjen paralele, argëtimin në këndin e lojërave, pritjen e radhës dhe njohjen e rregullave sociale për mbrojtjen e ambientit. Në kuadër të aktiviteteve jashtë seancave terapeutike, fëmijët e organizatës kanë marrë pjesë edhe në vizita të ndryshme si ‘Utalaya Foundation” ku me organizimet eksploruese në natyrë dhe te pylli i arinjëve, shkathtësitë e mësuara gjatë
terapisë janë gjeneralizuar në ambientet e bukura të natyrës. Tutje, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është organizuar aktiviteti “Biblioteka në Shesh”, për t’u mundësuar fëmijëve me autizëm që kanë dhunti në renditje strikte të gjërave/librave të prezantojnë shkathtësitë e tyre.

Kjo praktikë shërben si përgatitje e terrenit, drejt punësimit të tyre të mundshëm, si bibliotekarë të ardhshëm. Disa fëmijë të ANAK kanë qenë pjesmarrës në aktivitetet e “Festivalit Olimpik Tokyo 2020”, të organizuar nga Kosovo Olympic Committee në Prishtinë.

“Ngritu, Vallëzo, Ec, Bërtit ose Këndo!”

Në vitin 2019, ANAK dhe CINEPLEX kanë organizuar ditën e filmit për fëmijët e spektrit të autizmit dhe prindërit e tyre, në kuadër të muajit të vetëdijesimit mbi autizmin. Filmi është shfaqur në një ambient miqësor senzorik. Kjo nënkupton që gjatë shfaqjes së filmit, ambienti ka qenë plotësisht i përshtatshëm në zë dhe drita, për të larguar të gjithë stimujt e mundshëm, ndërsa fëmijët kanë qenë të lirë të lëvizin, të hanë dhe të pijnë, të bërtasin, të këndojnë dhe të largohen nga salla sa herë që kanë dashur. Ky aktivitet ishte mundësi shumë e mirë e mbështetjes sociale dhe argëtimit, por njëkohësisht ka ndikuar që të shkojmë një hap më tutje në zhvillimin e shkathtësive sociale të fëmijëve dhe në mbështetjen e idesë se edhe fëmijët e spektrit të autizmit mund ta shijojnë një ditë të këndshme në kinema. Të tilla nisma kanë ndikim në jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre dhe duhet të jenë pjesë e kinemave dhe platformave tjera të artit e kulturës, duke pasur parasysh krijimin e një ambienti pranues dhe të përshtatshëm për personat e spektrit të autizmit dhe familjet e tyre.

330+ fëmijëve i ofrojmë shërbime
direkte cilësore dhe individuale.

400 plane individuale të fëmijëve
të cilët kanë marrë shërbim në ANAK.

149 fëmijë që kanë përfituar shërbim direkt në ANAK kanë vijuar kopshtet/ shkollat.

200+ vlerësime të fëmijëve në dhjetë fushat e zhvillimit të tyre.

‘Art në Autizëm’

ANAK pikë me fokus të vecantë ka edhe aktivitetet dhe kampanjat që promovojnë pikat e forta të personave me autizëm dhe mbështetjen e tyre pa viktimizim. “Art në Autizëm” 2022 program i pikturës mbështetur nga NLB BANKA ka lansuar ekspozitën e saj më 01 Qershor, 2022 në Biblotekën Kombëtare me pikturat e punuara nga fëmijët me autizëm e që aktualisht ndodhen në shitje në platformën e Joy from GjirafaMall.

Mbështetësit tanë ndër vite

Patjetër që pa mbështetjen e donatorëve, organizata ANAK nuk do të mund të realizonte projektet dhe aktivitetet e saja deri më tani, sidomos në ofrimin e mbështetjes pa pagesë për shumë familje me kushte të vështira ekonomike.